Etilda Gjonaj denoncon skandalin e KLD: I dha Gjin Gjonit leje prindërore për 2 vite

2018-10-20 0

Denoncohet një tjetër skandal në radhët e KLD-së. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi gjatë një konference për shtyp se në mbledhjen e fundit, KLD, nën drejtimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ka miratuar një vendim jashtë rendit të ditës dhe i panjoftuar më parë, duke i dhënë leje prindërore në mënyrë të fshehtë gjyqtarit Gjin Gjoni, me argumentin se është bërë baba dhe i duhet të udhëtojë drejt Gjermanisë atje ku jeton bashkëshortja e tij.

Leja prindërore e dhënë nga KLD për Gjin Gjonin është dy vite. Sipas argumenteve të KLD, ai është bërë babai i një vajze në Gjermani dhe për këtë arsye do kryejë vizita të shpeshta drejt këtij shtetit. Por sipas Etilda Gjonajt, ajo që ngre dyshime mbi KLD është mbajtja e fshehtë e këtij vendimi, pasi kërkessa është futur rishtazi në rendin e ditës të KLD, si dhe nuk është publikuar krahas vendimeve të tjera në faqen e KLD, por është zbuluar nga zbardhja e procesverbalit të mbledhjes.