Berisha perjashton marreveshje Basha-Rama

2018-10-18 1

Qëndrimi i opozitës jashtë Parlamentit nuk është një vendim përfundimtar , por sipas ish-Kryeministrit Berisha i shërben demaskimit të lidhjeve të qeverisë me krimin.

"Partia Demokratike nuk e ka kurrë qëllim në vetvete qëndrimin jashtë Parlamentit. Por PD ka arritur t'u faktojë shqiptarëve se kjo qeveri është bandë kriminale, e lidhur nga kreu i saj deri tek drejtuesit e policisë dhe prokurorisë me një mijë fije".

Marrëzi e cilëson qëndrimin e Kryeministrit se audiopërgjimi i Babales ishte një konspiracion i demokratëve për të rrëzuar qeverinë.

"Kryeministri flet për konspiracion duke akuzuar Bendon që kryeson SHISH-in sot dhe e propozoi për drejtimin e SHISH. SHISH ka një veprimtari konstante antidroge dhe janë vetëm halucinacionet e një të sëmuri psikik që e çon atë të akuzojë SHISH se pse ka përdorur Veliun apo Hysenin për të shkuar drejt trafikantëve, një praktikë e rëndomtë botërore".

Por a i shërben kjo strategji e audiopërgjimeve Lulzim Bashës për të arritur një pakt nën tavolinë me Edi Ramën?

"S'ka kurrë shans që të ndajnë pushtetin Partia Demokratike me Edi Ramën".

Pa përmbysjen e Edi Ramës, thotë se nuk ka votë të lirë, por mënyra si do të ndodhë nuk lidhet vetëm me opozitën.

"Përparësi absolute unë konsideroj zgjedhjet. Duhet përmbysje popullore dhe revoltë. Nuk i kundërvihem idesë së një qeverie teknike që çon vendin drejt zgjedhjeve, por ajo më duket utopi".

Paketën antishpifje të propozuar nga Kryeministri Rama, refuzon ta cilësojë një mënyrë për të bërë transparencë.

"Ligjet janë, por ky e ka mesazh për skllevërit e tij në sistemin e drejtësisë që i drejton përmes Don Agacios dhe Fugës".

Për ish-Kryeministrin Berisha, paketa antishpifje është kthim në kohën e diktatorit Hoxha.