Vendimi i qeverisë për mbylljen e basteve sportive, Kryeministri deklaron se ka shqetësuar botën e krimit. Pa përmendur, emra ai zbulon se persona që vuajnë dënimin në burgun 313 kanë kërcënuar me SMS deputet të Komisionit të Ekonomisë për bllokuar këtë iniciativë që do të zbatohet nga 1 Janari i vitit të ardhshëm.
"Jam shumë i keqardhur që një pjesë e deputetëve dhe posaçërisht deputetët e Komisionit të Financave dhe Ekonomisë janë kthyer në shënjestër e një sulmi vulgar mesazhesh të orkestruara nga burgu 313. Jam shumë i sigurtë se ky grup parlamentar do t'u japë prindërve të këtij vendi, nënave, grave, vajzave edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin, një dhuratë të shumëpritur dhe terapeutikisht të domosdoshme, mbylljen e kazinove elektronike, të basteve sportive dhe të basteve online. Përsa i përket online-it, që është një drejtim shumë kompleks, do të arrijmë në një konkluzion të studiuar dhe do të mund të kemi një diskutim të mëvonshëm.Ka propozime të ndryshme edhe sa i përket idesë së një monopoli shtetëror të lojërave të fatit.
Por, që sot po ja u them unë personalisht, jam kundër. Megjithatë të gjitha diskutimet janë të hapura. Kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë si zona turistike. Asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër. Më vonë po ky Parlament do të vendosë që të hapë një dritë edhe për online-in. Online luhet dhe në telefon, por duhet të kesh kartë identiteti bankar dhe nuk mund të bësh dot transaksion. Sidoqoftë kjo është temë që nuk është e aktualitetit".
Kryeministri thotë se kjo industri drejtohet nga krimi i organizuar dhe kjo sipas tij është një tjetër arsye përveç plagës sociale që ka krijuar për t'i shkuar deri në fund kësaj vendimarrje, uljes së qepenave për çdo pikë basti.
Të gjithë ata që i kanë dalë kundër amendimit të propozuar për ligjin e lojërave të fatit, Rama thotë se janë të sponsorizuar pikërisht nga këta përfaqësues të krimit. Dhe këtu nuk lë jashtë as opozitën.
"Janë të lidhur drejtpërdrejt me interesat që kumtojnë në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Tiranë".
Për herë të parë pranon dështimin me ligjin e lojërave të fatit që u shty disa herë, por dhe për këtë ka një arsye sipas tij, ish-aleatët e LSI.
"Tani që jemi vetëm pa ata të tepsisë, ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund".
Ju jep pergjigje dhe gjithë akuzave për prapaskenat që luhen pas vendimit për mbylljen e basteve, ndërsa shpjegon fatin e kazinove elektronike.
"Se thonë se jo do vendosim monopol onlin, jo! Kazinotë vetëm në hotele me 5 yje jo në periferi".
Kryeministri kërkon nga Parlamenti të kalojë sa më shpejt amendimin që parashikon mbylljen e basteve si dëshmi se kjo qeveri e ka seriozisht dhe nuk do t'ia dijë për presionet politike apo kriminale.