Mbetet ne burg djali i deputetit

2018-10-17 8

As dëshmia e Xhisiela Malokut se është vetëdjegur me cigare dhe as fotografia e saj duke shkëmbyer puthje me Rexhepin jashtë hotelit ?Boçi? në Fushë-Krujë nuk e bindën Gjykatën e Apelit të pranojë kërkesën e avokatit për lirimin e djalit të deputetit.

"Media e banalizoi çështjen, Rexhepi është një njeri shumë i nderuar. Gjykata ka dhënë një vendim të padrejtë. Media e shtrembëroi faktin sepse qytetarja Xhisiela Maloku ka bërë tre kallëzime dhe i ka të tërhequra ku ka thënë se është mohuar vepra, nuk përcaktohet koha e dhunimit. Maloku është e sjellshme dhe e kulturuar dhe flet sa herë që e doni ju", tha avokati Ilir Murati.

Mungesa e 24-vjeçarit në sallë nuk e pengoi Xhisielën t?i jepte mbështetje jashtë dyerve të gjykatës.

"Ato që kam thënë në media janë të vërteta besoni çfarë të doni. Ai që ka folur kundër meje është në azil politik, nuk kam informacione të tjera. Jam këtu për ta mbështetur Rexhepin dhe për të treguar të vërtetën. Do them atë që unë dua të them. Unë jam shumë e bindur që nuk do të kem më probleme. Do ti jap llogari shtetit dhe jo mediave", u shpreh Xhisiela Maloku.

Për avokatin e 24-vjeçarit, dëshmitë ku Xhisiela mohon të jetë dhunuar janë një provë që gjykata nuk i ka rrëzuar.

"Xhisiela ka bërë tre deklarime dhe më pas e mohon, në këtë rast duhet përgjegjësi penale ndaj personit që ka bërë kallëzimet dhe më pas tërheqjen e tyre".

Veç opozitës, Xhisiela Maloku akuzon dhe mediat se kanë shpifur ndaj saj, duke kërcënuar se çdo të pavërtetë do ta çojë në gjykatë.

Rexhep Rraja mbahet në burg prej 30 Shtatorit të këtij viti, pasi Prokuroria e akuzon për dhunën e ushtruar ndaj ish të dashurës së tij Xhisiela Maloku. Kjo e fundit deklaroi në komisariat se ishte rrahur, djegur me cigare dhe kërcënuar me armë nga Rexhep Rraja, por pas publikimit të historisë në media, e reja  është tërhequr nga denoncimi duke thënë se gjithçka ishte sajesë.