?E dhimbshme, por e domosdoshme?. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama vendimin për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe zhvendosjen e kazinove elektronike jashtë qendrave të banuara. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë sqaroi edhe të ardhmen e atyre që do të mbeten pa punë nga mbyllja e këtyre bizneseve.
"Hapu vende pune atyre që shkruajnë loto, po a e di sa vende pune ka tani? Nuk ka të paktën asnjë biznes të vogël dhe të madh që të paktën nuk ka një vend pune të lirë. Nuk po them se do jetë e bukur dhe e lehtë kur të mbyllen qelizat e kumarit. Kush ka dhënë me qira këto biznese do të adoptohet në një treg, ku do hyjnë qindra miliona euro për konsum".
Rama sqaron se shtyrja e këtij vendimi deri në Dhjetor 2018, u bë për shkak të presioneve brenda koalicionit të mazhorancës në mandatin e kaluar.
"Do të kisha dashur ta bëja më parë siç edhe kisha premtuar, por nuk munda sot sepse rezistenca ishte e madhe brenda koalicionit qeverisës. Ishte i pari edhe i fundit rast kur unë kam pranuar një kompromis të keq, shtyrjen e afatit deri në Dhjetor 2018. E di që kam zhgënjyer dhe mërzitur njerëz,s por nuk munda dot".
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek akuzat e opozitës për lidhje të këtij biznesi me familjarë të tij.
"Se di çfarë do të bëjë opozita, a do të vijë, a nuk do të vijë të mbyllë biznesin që ka kaq vjet që iu çan dërrasat shqiptarëve duke iu thënë që është biznesi i vëllait tim. Ne votat i kemi më 31 Dhjetor do t ju bëjmë një dhuratë shumë të pritur nënave dhe grave shqiptare".
Ndryshimet në ligjin për lojërat e Fatit sanksionojnë se organizatorët e basteve sportive dhe garave në pistë do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në 31 Dhjetor të këtij viti, ndërsa ndërpritet licencimi për të gjithë aplikimet që janë bërë deri tani nga këto biznese.