TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë dënimet për autorët e masakrës te Bulevardi "Zogu I", ku mbetën të vrarë në një atentat tre persona, Besnik Sulku, Mentor Lufi (Doçi) dhe Gert Goxhaj. Ngjarja ka ndodhur në 27 maj 2015, ditën kur kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç vizitoi Tiranën. Por pavarësisht masave të rrepta të sigurisë, kjo nuk pengoi që në Tiranë të derdhej gjak nga përplasja mes bandave.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit Përparim Kulluri dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm italianin Salvatore Letizzia, nga Napoli, i cilësuar vrasës me pagesë, i cili njihet edhe si pjesë e organizatës mafioze italiane, "Camorra". Ndërsa për dy vëllezërit Markeljan dhe Klejvi Doçi gjykata ka dhënë respektivisht 27 dhe 20 vite burg. Italiani Letizia ishte punësuar nga Besnik Sulku për të ekzekutuar Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si përgjegjës për vrasjen e të vëllait, Durim Sulku, në Holandë. Mentor Doçi shoqërohej nga dy nipërit e tij, vëllezërit Markeljan dhe Klevis Doçi. Pikërisht këta dy të fundit ekzekutuan Besnik Sulkun, organizatorin e atentatit, i cili shoqërohej nga killeri i "Camorras" në këtë ngjarje. Viktimë e atentatit mbeti edhe miku i Mentor Lufit, Gert Goxhaj.
Dënimet e dhëna nga Gjykata e Krimeve të Rënda
Salvatore Letizzia - Burgim të përjetshëm
Markeljan Doçi - 27 vite burg
Klevis Doçi - 20 vite burg