Qarku i Lezhës është një zonë e pasur me objekte kulti, që mbartin vlera të çmuara historike e arkeologjike, por fatkeqësisht vëmendja e Ministrisë Kulturës për ti mirëmbajtur këto objekte ka munguar ndër vite.
Shqetësimi ngrihet nga Specialisti i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës Paulin Zefi, i cili shprehet se vetëm në rrethin e Lezhës janë 7 kisha mbi 100- vjeçare të shpallura monument kulture të kategorisë së pare, të cilat rrezikojnë të humbasin identitetin e tyre.
Zefi, thotë se të gjitha këto objekte kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, ndaj dhe apeli shkon për Ministrinë e Kulturës. Nëse institucionet përgjegjëse do vijojnë të heshtin këto objekti kulti rrezikojnë të humbasin vlerat e tyre. Ndërkohë e njëjta panoramë si në rrethin e Lezhës është edhe në Mirditë, Kurbin, Shkodër, Malësi të Madhe dhe Tropojë.