Reforma zgjedhore, censura financiare ndaj medias kundër OSBE/ODIHR

2018-10-07 1

Drafti i Partisë Socialiste për të kthyer në ligj një propozim të Lulzim Bashës, për goditjen financiare të medias, duke ndaluar reklamat politike kundrejt pagesës tre muaj para zgjedhjeve, nuk bazohet tek rekomandimet e OSBE/ODIHR për përmirësimin e Kodit Zgjedhor.

Ndalimi i reklamave politike në media rezulton një ide vetëm e Lulzim Bashës, të cilën mazhoranca ka propozuar për ta përfshirë në ligjin zgjedhor. Që pas zgjedhjeve të 2015, OSBE/ODIHR ka bërë 5 propozime për rolin e mediave gjatë zgjedhjeve, ku në asnjë rast nuk parashikohet ndalimi i reklamave. Ndërkaq, drafti i hartuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk adreson asnjërin nga 5 rekomandimet, por parashikon një propozim të Lulzim Bashës të bërë që para zgjedhjeve të 2017, duke dalë jashtë kornizës së rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Sipas ndryshimeve të propozuara ?partitë politikë dhe çdo subjekt tjetër e ka të ndaluar bërjen e reklamave politikë kundrejt pagesës 3 muajt fundit para datës së zgjedhjeve?. Gjithashtu ?ndalohet transmetimi i reklamave të paguara ose të financuara nga institucionet shtetërore dhe/ose nga çdo ent publik apo shoqëri tregtare ku shteti ka aksione për periudhën kohore 3 muaj para datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që transmetohen për rritjen ndërgjegjësimit të zgjedhësve, nxitjen e pjesëmarrjes në votim apo aspekte të tjera të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara me ligj?.

Rekomandimet
Për herë të fundit, Kodi Zgjedhor është ndryshuar në shkurt të 2015. Pas zgjedhjeve lokale të 2015 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2017, OSBE/ODIHR ka shpallur dy grupe me rekomandime, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke adresuar problematikat e shfaqura në të dy palë zgjedhje. Dy grupet e rekomandimeve përbëhen nga një listë me rekomandime prioritare dhe dytësore. Çështja e mediave përfshihet tek rekomandimet dytësore të OSBE/ODIHR, pas zgjedhjeve të 2015 dhe 2017. Konkretisht, me anë të rekomandimit jo prioritar me numër 17, OSBE/ODIHR, në vitin 2017 kërkoi që ?për të siguruar pavarësi editoriale të medias, duhet konsideruar shfuqizimi i nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor dhe ndalimi në mënyrë të qartë i transmetimit në lajme të reklamave politike?.