Afro 14 orë pas përplasjes me armë që la një të vdekur e dy të plagosur në një lokal në zonën e ish ? bllokut, policia ka mundur të zbardhë dinamikën e ngjarjes dhe të identifikojë personat e përfshirë.
Në konfliktin e armatosur janë përfshirë 6 persona, pjesëtarë të dy grupeve. Në njoftimin zyrtar thuhet se viktimë ka mbetur Fabian Gaxha, ndërsa të plagosur kanë mbetur Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, të cilët kanë qenë bashkë të ulur në një tavolinë në momentin kur ndodhi ngjarja. Hato ka qenë i akuzuar për një vrasje në Shkodër në vitin 2014.
Në kërkim janë shpallur Ervin Mata 31 vjeç, Fabjol Alushin 42 vjeç dhe Merviol Bilo 41 vjeç, efektiv i Forcave Komando të Ushtrisë, specialist xhenio, i cili ka marrë pjesë 3 herë në misione ushtarake në Afganistan. Pas ngjarjes ai është pezulluar nga reparti.