Banorët e fshatit Papër Sollak në njësinë administrative Papër te Elbasanit protestuan paraditen e sotme para ambienteve te DAR. Sipas prindërve ata ankohen për rezultatet e dobëta që kanë fëmijët e tyre në shkollë. Për këtë ata bëjnë përgjegjës stafin mësimor, të cilët sipas tyre nuk kanë arsimimin përkatës.
Ata shtojnë se për këtë fakt i janë drejtuar drejtorisë së shkollës dhe asaj arsimore prej më shumë se një viti por nuk kanë gjetur zgjidhje. Prindërit thonë se nëse situata e tyre nuk merr zgjidhje do ti përshkallëzojnë protestat, pasi janë të shumtë personat e diplomuar për mësues që aktualisht janë të papunë.
Arrogant shfaqet në qëndrim drejtori i komanduar i Drejtorinë Arsimore Rajonale të Elbasanit, Alqi Çabiri. Ai shprehet kundër publikimit të situatës në media, ndaj nuk pranon të prononcohet.
Më pas Çabiri fton një përfaqësi të prindërve në takim pa praninë e medias. Në fund të takimit prindërit theksojnë se Drejtori u ka premtuar se do ta ndjekë shqetësimin e tyre, por se nuk ka kompetenca të pushojë mësues nga puna.
Ky vit shkollor ka nisur me mjaft probleme për arsimim në Elbasan. Protesta zhvilluan për gati tre javë banorët e Menglit për shkollën, cështje e cila u zgjidh falë vendosmërisë së tyre, ndërsa nuk munguan as incidentet.