Report Tv-”Ku janë kamerat”, akuzat e PD, Alibeaj: Drejtori i policisë në Durrës

2018-10-03 0

TIRANË-Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, në emër të Partisë Demokratike, ka vijuar akuzat në drejtim të Policisë së Shtetit dhe qeverisë Rama 2. Alibeaj ka thënë se policia e urdhëruar nga ministri Fatmir Xhafaj, ka urdhëruar fshirjen e të gjitha provave që sipas PD, faktojnë praninë e deputetit Taulant Balla në komisariatin e Krujës më 21 korrik 2018. Alibeaj ka thënë se drejtori i policisë në Durrës, Alfred Çepe është marrë personalisht me fshirjen e të gjitha pamjeve filmike.Edi Rama po përdor të gjithë makinerinë e tij të propagandës që askush të mos flasë për denoncimin e oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili përmend me emra mbrojtësit politikë të bandës famëkeqe të Fushë Krujës Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja.

Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund ta vërtetojë atë. Është fakt se deri më sot nuk ka asnjë veprim ligjor të asnjë organi shtetëror për të verifikuar se Taulant Balla, Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe banda e tyre kanë qenë në 21 Korrik në Stacionin e Policisë së Fushë Krujës. Është fakt i provuar me dokumenta nga nënkomisar Emiljano Nuhu se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ministri i Brendshëm, Kryeministri, Prokurorja e Përgjithshme janë vënë zyrtarisht në dijeni të ngjarjes dhe përfshirjes së Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në kërcënimin me armë të oficerit të policisë, por kanë heshtur dhe kanë mbuluar krimin. Është fakt se nuk është bërë asnjë veprim ligjor për të pyetur policët e tjerë për praninë e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës atë natë në Policinë e Fushë Krujës.