Tirana mirëpriti edicionin e 8-të të LiboCon, konferencës ndërkombëtare vjetore të platformës teknologjike open source LibreOffice, me pjesëmarrjen e më shumë se 250 përfaqësuesve nga e gjithë bota, anëtarë të komunitetit të programuesve dhe zhvillimit të platformave kompjuterike.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është një nga bashkitë e para në Europë që zbaton një zgjidhje teknologjike për krijimin dhe ruajtjen e dokumenteve në një format të hapur dhe standard, çka i krijon mundësi qytetarëve që të lexojnë lehtësisht dokumentet zyrtare, pa qenë të detyruar të përdorin platforma specifike dhe të kushtueshme për ta.
Nisur nga dobia që sjell një platformë e tillë, jo vetëm në funksionalitetin e një institucioni, por edhe në transparencën e tij, Veliaj ftoi edhe institucionet e tjera që të përqafojnë risi të tilla teknologjike. ?Inkurajojmë edhe institucione të tjera, edhe ato të varësisë, por edhe institucione të tjera në Shqipëri, edhe kompanitë, që të gjejnë mënyra alternative, në mënyrë që më shumë para të shkojnë për investime konkrete, se sa si pagesa për korporatat që ndoshta kanë vite që vjelin të njëjtin produkt. Thyerja e këtij monopoli, për ne ka qenë jashtëzakonisht e dobishme?, shtoi Veliaj.
Ai u shpreh se Tirana ka arritur që të shfrytëzojë më së miri teknologjinë në lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga qytetarët, ndërsa shumë shpejt do të kthehet në një nga qendrat më të mëdha të zhvillimit te teknologjisë nga kodimi dhe software disign deri në shumë prej proceseve të tjera. Për këtë, Veliaj tha se brenda këtij viti do të nisë puna për ta kthyer piramidën në një shkollë inovatore, që do të zhvillojë kulturën dixhitale.