Konsumatorët e rregullt të karburanteve janë ndodhur ditën e sotme përballë surprizës së pakëndshme, të çmimeve të rritura të benzinës dhe gazoilit në të gjitha pikatë e shitjes me pakicë. Për herë të parë nga fillimi i muajit maj, të gjitha pikat e shitjes me shumicë në Shqipëri kanë rritur njëherazi, siç ndodh vazhdimisht në vendin tonë, çmimin e karburanteve. Nga 178 lekë për litër që shitej mesatarisht gazoili, tani atë e gjen me 183 lekë.
Kjo pasqyron direkt rritjen graduale të çmimit të hidrokarbureve në të gjitha tregjet botërore. Tanimë nafta bruto standard amerikane shitet mbi 80 dollarë për fuçi, ndërkohë që më parë kishte arritur të zbriste edhe më poshtë se niveli 40 USD.
Koniunktura
Mendohet se në këtë nivel është arritur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike, që kanë të bëjnë me situatën në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimin e rrezikut të luftrave, sidomos me fërkimet mes Iranit dhe Izraelit. Është pikërisht Irani, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, që po kritikohet ngado këto ditë se po e përdor si armë çmimin e naftës duke ndikuar për rritjen e tij. Ndërkohë vitet e fundit çmimet kanë qenë shumë të ulta.