Gjykata e Krujës ka lëshuar ditën e djeshme urdhër-arrestin për djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rrajën. Report Tv ka mësuar se Rexhep Rraja është arrestuar ditën e sotme nga policia e Krujës, që e ka prangosur Rrajën në Rinas, në një biznes që merrej me dhënie makinash me qira. Prokurorja që ka ndjekur këtë rast, është Mirela Kapo, një prokurore grua e cila ka kërkuar në Gjykatë urdhër-arrestin për Rrajën, ndërsa gjyqtarja është Enkelejda Hoxha.
Mbi djalin e deputetit rëndojnë dy akuza, dhunë dhe përndjekje. Rraja akuzohet se dhunoi Xhisiela Malokun, rasti i së cilës ka trazuar këto ditë politikën shqiptare.
Akuzat për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, u bënë publike gjatë kësaj jave, pas një denoncimi të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu. Nuhu akuzoi për kërcënim me armë në ambientet e komisariatit të Krujës, edhe deputetin Rrahman Rraja, në prani të deputetit socialist, Taulant Balla dhe kryetarit të bashkisë, Artur Bushi. Balla mohoi akuzat për ndikim tek policia e Fushë-Krujës, ndërkohë që vetë vajza Xhisiela Maloku, në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Maloku, u shpreh se kërkonte drejtësi por të mos përdorej politikisht në këtë ngjarje.