FUFARMA edhe ne Maqedoni, investim prej 20 milione eurosh

2018-09-27 5

Me mbjelljen e një peme ulliri 300 vjeçar, si një simbol i paqes dhe miqësisë, në Zonën e Lirë Ekonomike Bunarxhik të Shkupit, u shënua fillimi i ndërtimit të objektit të kompanisë farmaceutike shqiptare SAGEN, që është pjesë e shoqatës aksionere FUFARM, e cila në Shqipëri, prej dekadash ka bërë emër në përpunimin dhe shpërndarjen e barnave. Në këtë objekt në Maqedoni do të prodhohen tretje infuzive dhe ilaçe gjenerike, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë për eksport.

Investimi do të realizohet në dy faza: Në të parën investohen 6.5 milionë euro dhe do të punësohen 70 persona, kurse në fazën e dytë, thotë pronari i kompanisë, do të investohen edhe 20 milionë euro të tjera, ndërsa numri i të punësuarve do të arrijë në 300.

"Projekti SAGEN është sinergji e linjave të përparuara teknologjike me kapacitetet njerëzore të fushës së farmaceutikës, sikurse pritet të jetë edhe rrjeti i bashkëpunimit me disa vende në truallin e Maqedonisë. Në drejtimin e kompanisë farmaceutike FUFARMA, me veprimtari në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit, kemi synuar kujdesin në procesin e përzgjedhjes së produkteve me origjinë të garantuar, duke ruajtur standardin e medikamenteve risi apo të atyre që janë domosdoshmëri për kualitetin e jetës së njeriut. Ky motiv do të na shtrojë rrugën në punën tonë që po inaugurojmë sot e do të pasurohet edhe me moton ?Shëndeti juaj është shëndeti jonë!"

Për Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ndërtimi i objektit të SAGEN në Shkup është moment historik dhe i rëndësishëm për mbarë vendin.

"Është historik për arsye se e begatojmë listën e produkteve farmaceutike këtu në Maqedoni, si prodhime vendore, përmes investimit nga jashtë. Së dyti, është historik për shkak se kemi një investitor serioz dhe të dëshmuar, i cili vjen nga një vend mik. Ne me Republikën e Shqipërisë jemi miq të mëdhenj, është fqinji ynë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin edhe në integrimet tona, edhe në aspiratat tona, për një përparim ekonomik dhe e gjithë kjo e bën shumë të rëndësishëm këtë moment".

Ndërkaq, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka përshëndetur vendimin e kompanisë shqiptare për të investuar në Maqedoni, për shkak se sikurse tha, kjo ka për të ndikuar në rritjen e eksporteve.

"Së shpejti do të kemi një kompani moderne me teknologji të sofistikuar, e cila do të kontribuojë edhe në rritjen neto të eksportit nga Zonat e Lira Ekonomike. Një falenderim i veçantë që pikërisht zgjodhët Republikën e Maqedonisë për të rritur kapacitetet e kompanive tuaja dhe njëkohësisht duke mbjellur një pemë ulliri si simbol i paqes dhe mirësisë, nga ky moment përfaqëson edhe miqësinë e gjatë që kemi mes dy vendeve tona dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik".

Aktualisht, ardhja e kompanisë shqiptare SAGEN në Maqedoni, pason projektin Skopje East Gate, të ideuar nga Grupi Balfin, e biznesmenit të njohur Saimir Mane, një investim ky me vlerën rreth 350 milionë Euro, si dhe të gjigandit mediatik Tv Klan.