BELGJIKË-Ministri i Drejtësisë, Koen Geens ka reaguar pas arrestimit në Shqipëri të Safet Rustemit (Bajri) dhe disa anëtarëve të tjerë të këtij grupi. Në një emision televiziv, Geens ka thënë se ka patur vonesa në dërgimin e dosjes në Shqipëri. Ministri ka pranuar faktin se autoritetet belge kanë punuar me ritme tejet të ngadalta për çështjen e Rustemit. Ministri ka thënë:
Nëse dikush ka fakte në vitin 2001 dhe të njëjtat fakte i ka sërish në dhjetorin e vitit 2017, është e çuditshme, por vonesa në arrestim nuk është për shkak të belgëve. Shërbimet tona mund të kishin punuar më mirë. Nëse Belgjika dhe departamenti i Emigracionit nuk do e kishte dëbuar Rustemin, nuk e di nëse këto fakte do të kishin dalë në dritë në Shqipëri. Bashkëpunimi mes dy agjencive ka qenë shumë i mirë.
Koen Geens, ministri i Drejtësisë në Belgjikë
Ministri ka folur edhe për vuajtjen e dënimit të Rustemit, duke qenë se mes dy vendeve nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Ministri ka thënë se ka shumë mundësi që Rustemi ta vuajë dënimin e shtetit belg në Shqipëri, pavarësisht se avokati i tij Sven Mary e ka kundërshtuar këtë fakt.
Ka shumë mundësi që Rustemi ta vuajë dënimin e tij në Shqipëri, pasi mes dy vendeve nuk ka një marrëveshje. Do kishte qenë më mirë që ky person të mos ishte larguar nga Belgjika, pasi Bajri ka 3 dënime në Belgjikë me 9, 5 dhe 8 vite burg.