Si asnjëherë përgjatë një viti që zhvillohet procesi ndaj Emiliano Shullazit në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk ishin parë kaq shumë forca policie.
Më shumë se 100 oficerë rrethuan gjykatën për të siguruar seancën ku pritej të lexohej pretenca për 5 anëtarët e grupit. Madje godina e qelqtë është këqyrur edhe nga snajpera të policisë.
"I gjithë zinxhiri drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda është paraqitur për të përfaqësuar akuzën në gjyqin ndaj Emiliano Shullazit. Por pavarësisht se në seancë kanë qenë 4 prokurorë, përsëri pretenca nuk është mundur të lexohet".
Prokuroria u përfaqësua nga drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe tre zëvendësit e saj të linjave, prokurorët Anton Martini, Gentian Osmani dhe Besnik Muçi.
Por 5 të pandehurit nuk u paraqitën në seancën e kësaj të marte. Emiliano Shullazi, Gilmando Dani dhe Endri Zela u përfaqësuan nga avokatët e tyre, ndërsa Endri Qyqja në një letër drejtuar gjykatës kërkoi të mos mbrohej më nga avokati Vladimir Meçi.
I pandehuri Blerim Shullazi nuk ishte ne sallën e gjyqin, sipas tij për arsye shëndetësore, por kjo gjë nuk ishte konfirmuar nga mjeku i burgut. Por pengesë për seancën u bë edhe avokati i këtij të fundit, Aldo Tabaku. Për shkak se babai i tij ishte rëndë në spital, ai i kërkoi togave të zeza shtyrjen e seancës.
Në kushte të tilla, pesëshja e gjyqtarëve vendosi të shtyjë seancën për në datën 2 Tetor, ku prokuroria do të tentojë edhe një herë të lexojë konkluzionet e saj.
Kjo dosje u bë ?mollë sherri? në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi 10 prokurorë refuzuan shortin, duke e konsideruar procedurën antiligjore. Ndaj tyre nisi një hetim disiplinor ndërsa 3 u transferuan në rrethe.