Gentian Zenelaj në 'Rreze Dielli': Nuk dua që biçikleta të jetë një detyrim për të lëvizur në Tiranë

2018-09-24 2

Tirana vazhdon të jetë një qytet shumë i pisët dhe kaotik për të lëvizur me biçikletë. I këtij mendimi është aktori i humorit Gentian Zenelaj, i cili sot në emisionin ?Rreze Dielli? në Report TV ka dhënë argumentat e tij përse ka zgjedhur motorin si alternativën më të mirë për të lëvizur në kryeqytet. Sipas tij, vetëm një zgjidhje përfundimtare e transportit publik në Tiranë, do ta bënte qytetin miqësor ndaj atyre që pedalojnë.

Nuk dua që biçikleta të jetë detyrim, sot në Tiranë shumë njerëz detyrohen të përdorin biçikletën, sepse është e pamundur të parkosh, të ecësh me makinë. Bicikleta është zgjidhje apo zgjedhje? Unë vazhdoj të mendoj që Tirana vazhdon të jetë një qytet shumë i pisët për të ecur me biçikletë, ku shkon pluhuri i gomave të betoniereve që ecin nëpër Tiranë, a është e mirë që kjo ndotje të futet në mushkëritë e qytetarëve? Unë kam zgjedhur motorin prej 20 vitesh sepse është e pamundur të kryesh punët në Tiranë me makinë, sepse kam 2 fëmijë, duhet ti çoj në shkollë, në kurse etj. Biçikleta për momentin është detyrim e jo zgjedhje. Unë kam parë qytete në botë, që e kanë biçikletën zgjedhje por kanë transport publik të mrekullueshëm. Është shumë shpejt akoma që të ketë një përdorim masiv të biçikletës. Tirana nuk është qetësuar akoma, si Amsterdami, Budapesti, apo Praga. Në Tiranë kërcet betonierja nga mëngjesi deri në darkë. Duhet bërë një pakt qytetar mes njerëzve që ecin me biçikleta dhe atyre që përdorin makina. Vetëm kur transporti publik të zgjidhet një herë e përgjithmonë, atëherë Tirana do të jetë një qytet fantastik për të ecur me biçikletë.

Gentian Zenelaj, aktor

I ftuar në studio ishte dhe gazetari e sipërmarrësi Rezart Lahi i cili shpjegoi se pse pas 18 vitesh ka ?braktisur? makinën dhe ka vendosur të përdorë biçikletën. Sipas tij, zgjidhja më e mirë në kryeqytet është biçikleta, veçanërisht për të kryer punët e përditshme.