Arrestimi i Safet Bajrit, Zv/Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj në Report TV: Ishte vetëm fillimi

2018-09-22 0

""Forca e Ligjit" do ndërmarrë operacione të tjera kundër bandave kriminale në Shkodër dhe qytete të tjera të vendit". Ky ishte paralajmërimi që dha nga studio e Report TV përballë gazetarit Besard Jacaj, zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj. Numri dy i Ministrisë së Brendshme u ndal te superoperacioni i policisë mbrëmjen e kaluar që çoi në arrestimin e 11 anëtarëve të grupit kriminal "Bajraj" në Shkodër dhe Tiranë. Puna për gjurmimin dhe identifikimin e veprimtarive të paligjshme dhe aseteve të grupeve kriminale të bandave, tha Hodaj, ka nisur muaj më parë që pas krijimit të Task-Forcës "Forca e Ligjit", ndërsa ajo që mbetet tashmë, pas dokumentimit, është ekzekutimi në terren i urdhërarresteve. Për grupin ''Bajraj'', tha Hodaj, puna e Prokurorisë dhe Policisë është në proces.

Është një punë në progres edhe për këtë grup. Nuk po fasim vetëm për dy vrasje, por nga vrasjet e deri në gjobëvënie, përveç faktit të organizimit të grupit kriminal që është më vete. Deri tani është një operacion që ka shkuar mjaft mirë, i udhëhequr nga Prokuroria. Janë ata që bëjnë të gjithë planin e detajeve të operacionit, mënyrën e ndërhyrjes, kur do ndërhyhet dhe si do ndërhyhet. Kemi kataloguar vendet problematike, qytetet e përfshira, dhe në momentin kur gjithçka do jetë gati, kur të jenë dërguar fakte dhe prova në gjykatë, do bëhet. Në javët e ardhshme, ditët e ardhshme, do shohim zhvillime të tjera. Flasim për shumë njerëz, shumë aktivitete dhe shumë asete. Task-Forca ka rimarrë të gjitha dosjet e vjetra dhe ka vijuar hetimet.

Julian Hodaj, zv/ministër i Brendshëm