Detaje të reja kanë dalë për operacionin e zhvilluar dje në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në një deklaratë për mediat kanë njoftuar se janë arrestuar në total 11 persona, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e aksionit të zhvilluar pak ditë më parë, në lagjet Kiras dhe Dobraç.
Policia njofton se ditën e djeshme përveç Safet Bajrit (Rustemi), janë arrestuar edhe të tjerë persona, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal. Hetimet kanë zgjatur 6 muaj, ku janë kryer përgjime dhe janë kryer hetime në bashkëpunim me shërbimet e huaja partnere. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, njofton se përveç policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, në këtë aksion është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, që ka bashkëpunuar në shkëmbim informacioni.Përveç të arrestuarve, policia njofton se 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mbi të arrestuarit e grupit rëndojnë disa akuza, 2 vrasje të dokumentuara që prej vitit 2001, prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i llotarive sportive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Këtij grupi i janë sekuestruar gjatë aksionit 3 armë zjarri pistoletë, kanabis sativa, 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal, 3 makina dhe disa telefona. Për të trukuar ndeshjet e futbollit, grupi i Bajrajve bashkëpunonte me portierin e Tërbunit, Fabiol Rexhepi dhe trajnerin e kombëtares së fubollit për femra, Armir Grima. Grimaj gjithashtu ka qënë pjesë e listës zgjedhore të PD-së për Shkodrën në zgjedhjet e vitit 2013.