TIRANE-Kryeprokurorja Arta Marku ka reaguar për herë të parë pas vendimit për nisjen e hetimit disiplinor dhe transferimin e prokurorëve që u rebeluan dhe që nuk pranuan që të marrin pjesë në shortin për dosjen Shullazi. Kryeprokurorja deklaron se situata e fundit me kaosin e prokurorëve është sajuar nga frika e përballjes me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa dallim. Arta Marku në një letër për mediat shprehet se ka detyrimin ligjor që të marrë masat për cilindo prokuror që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën.
Me përgjegjësinë e detyrës që më ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji, kam detyrimin institucional dhe qytetar për të komunikuar dhe ndarë me ju dhe me këdo që i do të mirën këtij vendi, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që asistojnë punën e institucionit të Prokurorisë në të gjitha nivelet, të vërtetën e kësaj situate të sajuar nga frika e përballjes me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa dallim.
Është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend. Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit.
Arta Marku
Pas ngërçit të krijuar, Kryeprokurorja thekson se për dosjen Shullazi është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim pas kaosit që u krijua me largimit dhe rebelimet.