TIRANE - 10 prokurorët 'rebelë' të cilët refuzuan shortin për të marrë në dorëzim dosjen 'Shullazi' kanë bërë një letër publike duke sqaruar pozicionin e tyre dhe vendimin e kryeprokurores Arta Marku për të nisur procedim disiplinor ndaj tyre. Olsian Çela, Përparim Kulluri, Arens Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Sonila Muhametaj, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj dhe Behar Dibra shkruajnë se nuk pranuan shortin për shkak se dosja 'Shullazi' ndodhet në fazën përfundimtare si dhe nuk u ishte sqaruar për rrethanat ligjore të hedhjes së këtij shorti në një kohë kur cështja kishte prokurorët e përcaktuar që në fillim të hetimeve. Prokurorët deklarojnë se zëvendësimi i Eneid Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.
Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente. Hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare.