Ekskluzive - Avokati nga Gjirokastra denoncon me video në Report Tv: Më kërcënoi burri i gjyqtares

2018-09-20 6

GJIROKASTER - Kërcënohet Avokati Andrea Zota, në qytetin e Gjirokastrës. Zota ndihet i rrezikuar për jetën e tij dhe të familjes, nga bashkëshorti i një gjyqtareje në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Zota i cili e ushtron profesionin e avokatit në Gjirokastër, ka zgjedhur Report TV për të përcjellë shqetësimin e tij rreth ngacmimeve dhe shqetësimeve që i bëhen nga Arenc Brahimi bashkëshort i gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi.

Ngacmimet ndaj avokatit prej burrit të gjykatëses, kanë nisur qëkur Zota në një proces gjyqësor, kërkoi përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Disa javë më parë, burri i gjykatëses, i shkatërroi dhe theu tabelën orientuese të zyrës së avokatit, Zota, çka është filmuar nga kamerat sigurisë të instaluara përbri zyrës së avokatit. Për këtë veprim avokati ka bërë denoncim në polici dhe kallëzim në prokurori.