Dekreti i Presidentit që ktheu për rishqyrtim ligjin për Teatrin Kombëtar ka mbledhur në zyrën e Kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi, Kryeministrin Edi Rama, Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si dhe 2 nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit, Sekretarin e tij të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi dhe shefen e kabinetit Vali Bizhga.
Ndonëse nga takimi që zgjati afro 60 minuta nuk pati asnjë informacion zyrtar, burimet thanë se qëllimi i tij ishte unifikimi i qëndrimit të maxhorancës përpara seancës plenare të së enjtes, ku në rend të ditës është futur për votim edhe dekreti i Presidentit.
Të mërkurën, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ku mori pjesë edhe opozita, për herë të parë që prej nisjes së sesionit të ri parlamentar, dekreti u miratua vetëm me votat e shumicës, e cila po ashtu i bëri disa amendime ligjit.
Por opozita, përmes një letre drejtuar Kryeparlamentarit Ruçi i kërkon të mos përfshijë në seancën e së enjtes ligjin për teatrin. Sipas saj, miratimi ?pro? i dekretit të Presidentit sjell automatikisht rrëzimin në tërësi të ligjit.
Në kushtet kur Komisioni përgjegjës pranoi dekretin, i vetmi veprim që duhet të kryejë Kuvendi në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren, vijon argumenti i opozitës, është votimi pro i dekretit dhe kthimi i ligjit mbrapsht në qeveri.
Opozita kërkon gjithashtu ndërprerjen e çdo procedure legjislative për ligje/projektligje, për të cilat janë ngritur pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e tyre, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese.
Projektligji i maxhorancës që u rrëzua nga Presidenti në 27 Korrik parashikonte që Teatri Kombëtar të ndërtohej nga kompania ?Fusha?, por shumica vendosi të reflektojë mbi disa nga argumente të Kreut të Shtetit dhe Bashkimit Europian, mes të cilave edhe zhvillimin e një gare të hapur për ndërtimin e Teatrit të ri.
Gjithsesi opozita nuk pritet të marrë pjesë në seancën e së enjtes pasi mësohet se pas Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit do të zhvillojë një takim në Vlorë, paralelisht me seancën.
Tv Klan