Report Tv-IKMT shemb 9 biznese pa leje, aksioni deri në mesnatë, policia largohet sot nga Jala

2018-09-19 1

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vazhduar aksionin për shembjen e 9 ndërtesave pa leje në Jalë, të cilat kanë shërbyer kryesisht si biznese në fushën e hotelerisë. IKMT e ka vijuar aksionin deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Report Tv mëson se në mesnatë aksioni ka përfunduar, ndërkohë që ditën e sotme, nga Jala janë larguar edhe forcat policore.

Ditën e djeshme, IKMT zhvilloi një aksion përgjatë vijës bregdetare në Jalë ku u shembën 9 biznese. Këto objekte ishin ndërtuar pa leje në një tokë që sipas IKMT-së dhe ALUIZNI-t është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht, Ushtrisë. Pronarët kundërshtuan aksionin e IKMT-së dhe u përplasën me forcat e policisë. 7 prej tyre u shoqëruan në komisariat.

Debati për shembjen e bizneseve pa leje përfshiu edhe politikën, pasi PD dërgoi në Jalë dy deputetët, Agron Shehaj e Neda Mecorapaj. Deputeti Agron Shehaj, u konfliktua në terren me kryeinspektorin e IKMT-së, Fatmir Meta, në një debat që kaloi në fyerje personale. Pas replikave në Jalë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat nga selia e PD-së në Tiranë, ku tha se do të kishte edhe një kallëzim në prokurori. Kryeinspektori, Fatmir Meta, ka qenë shef i Komisariatit të Tropojës në kohën e vrasjes së Azem Hajdarit. Të akuzuarit për vrasjen e Azemit, sipas hetuesve të kohës kanë ardhur në Tiranë me makinë e Fatmir Metës, i cili më pas u arrestua si bashkëpunëtor në vrasje, por më pas u shpall i pafajshëm. Pas këtij epsiodi Fatmir Meta u tërhoq nga Policia dhe vetëm në vitin 2013 është rikthyer në detyrë shtetërore si inspektor i IKMT-së.

Free Traffic Exchange