3 persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të hëne në Laç.
Burime zyrtare sqarojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 17:02, në lagjen Sanxhak. 32-vjeçari Gegë Gega hapi zjarr me automatik në drejtim të personave që mbetën të plagosur.
Këta të fundit mësohet se janë Islam, Bajram dhe Gazmir Shafloqi. Ata u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në spital, përfundoi edhe autori i ngjarjes, pasi gjatë konfliktit fizik ka pësuar gjithashtu lëndime. Ai është arrestuar pikërisht në ambientet ku po merr mjekim.
Ndërsa në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.
Policia sekuestroi gjithashtu automatikun e përdorur nga autori i dyshuar. Zyrtarisht mësohet se gjithçka ndodhi pas një sherri të momentit mes palëve, për shkaqe ende të paqarta.