Perfundon aksi i pare Korce–Erseke

2018-09-16 1

Aksi i parë 17.6 kilometra që lidh Korçën me Ersekën ka përfunduar. Rruga nisi ndërtimin e saj në vitin 2013-ë, por projekti pësoi disa ndryshime gjatë punimeve me kërkesë të Bashkisë së Korçës në mënyrë që 2 kilometrat e parë të plotësoheshin me elementët e zonave urbane.

"Janë të plotësuara gjelbërimi, ndriçimi, trotuaret dhe korsia e biçikletës bashkë me gjithë elementët e tjerë dhe ura në hyrje të qytetit të Korçës. Kemi bërë lidhjen fundore të këtij segmenti me rrugën e vjetër që të çon në Ersekë dhe zgjidhjen përfundimtare në pjesën e vështirë të Qarrit", thotë Afrim Qendro, drejtori i ARRSH.

Rruga planifikohet të përfundojë tërësisht pas 2 vjetësh, ndërsa vitin e ardhshëm nisin punimet për segmentin e dytë të saj.

"Me optimizimin e buxhetit dhe me përfundimin e të gjitha prokurimeve për këtë vit, besoj vitin tjetër do të jetë e mundur edhe fillimi i lotit tjetër drejt Ersekës që do ta kompletojë edhe këtë pjesë kaq të rëndësishme të Shqipërisë", u shpreh ministri Damian Gjiknuri.

Rruga lidh me Korçën edhe 4 fshatra turistike të këtij qyteti, ndërsa ministri Niko Peleshi tha se i ka kërkuar qeverisë edhe një buxhet për të rindërtuar rrugën për në fshatin Dardhë.

Tv Klan