Tirana ka përkujtuar 76-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve.
Në një ceremoni të organizuar në Pezë morën pjesë veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor të cilët nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë të rinjve e të rejave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit.
Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënvizoi se Konferenca e Pezës është një mësim i madh për të gjithë shqiptarët për të mos penguar njëri-tjetrin, por për të punuar së bashku për progresin.
Po ndërtojmë sot shtet, po ndërtojmë qytet, që kur të shkruhet historia pas 76 viteve, të themi: Po, ne ishim në anën e duhur, siç ishim 76 vite më parë në anën e duhur të historisë. Bashkëpunuam që Shqipëria të ecë përpara. Por, pyetja është kjo: A po e bëjmë këtë të gjithë? Mendoni se do të shkruajë njeri pas 76 vitesh historinë sesi shajmë njëri-tjetrin nëpër rrjete? Sesi pengojmë çdo punë publike? Sesi nuk bashkohemi në një aksion pastrimi apo mbjellje pemësh? Si ka mundësi? Po të ishin gjallë pjesëmarrësit, nga Babë Myslymi dhe të tjerët, të majtë e të djathtë, nga Konferenca e Pezës, dhe të shikonin që ne kacafytemi për të penguar njëri-tjetrin, kjo nuk është normale. Ne nuk mund të pengojmë sot zhvillimin e Shqipërisë, të Tiranës, Pezës.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë
Veliaj shtoi se një nga mesazhet që na jep Konferenca e Pezës është ajo e bashkimit, për të marrë vendime të rëndësishme.
Familja jonë është Shqipëria, besa jonë është Shqipëria, feja jonë është Shqipëria. E nëse punojmë me këtë frymë nesër, pasnesër, duke i mbajtur partitë, por duke vënë mbi të gjitha Shqipërinë, vendin, qytetin, atëherë do të ecim përpara. Vitin tjetër ne presim të fillojmë negociatat për anëtarësimin në BE, nëse shkojmë të përçarë dhe duke i ngulur thikën pas shpine njëri-tjetrit, do të thotë se 76 vite s?paskemi mësuar asgjë. Historia e Pezës thotë: Kur jemi bashkë bëjmë mrekulli, kur copëtohemi, kur pengojmë, kur përçajmë, humbasim.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë
Ndaj, në një kohë që Shqipëria përgatitet për sfidat e integrimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës apeloi për t?i shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe atyre që nuk mendojnë njësoj për të ecur së bashku përpara. Teksa afrojnë festat e nëntorit, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se bashkia jo vetëm që do të vijojë me restaurimin e varrezave të dëshmorëve dhe të lapidarëve, por do të punohet për të mbajtur gjallë veprën dhe sakrificat e të rënëve në luftë për atdheun.