OSHEE ben analizen e punes ne sezonin turistik

2018-09-15 1

Përmirësim me 50% të performancës në furnizimin e abonentëve me energji elektrike. Ky është bilanci që bën në mbyllje të sezonit turistik, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Analiza përfshiu harkun kohor nga Qershori në Gusht të këtij viti, të krahasuar edhe me një vit më parë.

Nga të dhënat e analizuara, OSHEE ka ulur kohëzgjatjen e mungesës së energjisë me 46%, ndërsa konsumatorët e prekur nga mungesa e energjisë janë përmirësuar me 50%.

Por ndryshe nga një vit më parë, ky sezon turistik u shoqërua me mot jo të mirë, çka solli probleme në rrjetin shpërndarës. Rastet më të rënda ishin Velipoja, Shëngjini dhe Divjaka.

Nga analiza e OSHEE-së del se abonentët kanë marrë një furnizim më të mirë me energji në zonat bregdetare të Velipojës, Shëngjinit, Rrilës, Durrësit, Divjakës, Vlorës, Himarës dhe Sarandës.

Sipas raportit zyrtar thuhet se për shkak të investimeve paraprake furnizimi ka qenë brenda parametrave optimalë dhe në përputhje me rregulloren e cilësisë. Që prej fillimit të vitit janë kryer punime të planifikuara si rikonstruksioni i rrjetit, investimet në NST, fidera, shtylla dhe kabina si dhe organizim i gadishmërisë me 1800 punonjës.

Në ndihmë të banorëve të zonave turistike u publikuan numrat e kontaktit të dispencerive rajonale ku raportoheshin ankesat në lidhje me defektet në rrjetin elektrik. Ky raportim në kohë reale çoi në përgjysmimin e kohës së zgjidhjes të defektit. Një tjetër efekt dha edhe shtimi i kapaciteteve njerëzore në terren të angazhuar në riparimin sa më të shpejtë të defekteve që u shfaqën në rrjet.

Tv Klan