Rihapet ceshtja e atentatit ndaj Lulzim Berishes

2018-09-13 3

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për rishikim të vendimit ndaj Ahmet Ajetit, i dënuar me 20 vite burg në mungesë për atentatin e dështuar ndaj Lulzim Berishës. 35-vjecari u ekstradua rreth dy muaj më parë nga Kosova për atentatin e organizuar 13 vite më parë në Durrës. Ajeti deri tani nuk ka folur për prokurorët, por ka kërkuar rishikimin e vendimit, duke qenë se është dhënë në mungesë.

Sipas hetimeve të 13 viteve më parë, Ahmet Ajeti, kosovari tjetër Osman Karpuzi u porositën nga Adriatik Çoli dhe Endrit Dokle për të eliminuar Lulzim Berishën, kreun e bandës rivale në qytetin e Durrësit.

Para se të kryhej atentati, në afërsi të lokalit ku ndodhej objektivi i tyre, Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur. Në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën duke u vetëplagosur, duke bërë që atentati të dështojë.

Në dëshminë e dhënë nga i penduari i drejtësisë, Adriatik Çoli, gjatë procesit gjyqësor thuhet se dy kosovarët do të paguheshin 100 mijë euro për të kryer vrasjen. Atyre u ishin dhënë edhe dy armë antitank, por që nuk patën mundësi t?i përdornin.

Ky ishte vetëm njëri nga atentatet ndaj Lulzim Berishës, i cili arriti të shpëtojë. Berisha u dënua me 25 vite burg, por u lirua me kusht në Dhjetor të vitit 2016.