'Dosja K' rikthehet në Report TV sonte në 20:30, histori të rralla nga kampet e vdekjes në Tepelenë

2018-09-11 0

Rikthehet sonte në orën 20:55, në ekranin e Report Tv, ?Dosja K?, seria e dokumentarëve me historitë e komunizmit, ideuar dhe realizuar nga gazetarja Admirina Peçi.

Në kujtesën e publikut mund të rikthejmë Marien, vajzën e Lasgush Poradecit e cila ndër të tjera zbuloi historinë e rrallë të poetit që nuk pranoi të shkruante poezi për Enver Hoxhën, duke deklaruar se ?më mirë vriste veten se sa të shkruante për diktatorin?.

Po ashtu e rrallë ishte historia e Gjergj Simonit, mbi qëndresën e tij si meshtar gjatë gjithë viteve të regjimit komunist.

Historia e Gjelë Gjikolës, gruas që i vdiq vajza 3 vjeç në kampin e Tepelenës, ishte një prej historive më tronditëse të sezonit të parë, e po ashtu edhe historitë e një varg personazhesh me eksperienca të rralla nga burgjet komuniste sidomos nga Spaçi apo Qafë-Bari. Ndër historitë që shfaqi më shumë interes, ishte rrëfimi i rrallë i mësuesit të matematikës Gjeto Vocaj, i cili zbuloi në vitet 60-të një gjeni 6 vjeçar në fushën e Matematikës, Nikë Kodra, zbulim që iu kthye më vonë në një boomerang, me drama të njëpasnjëshme në jetën e tij.

Pas një sezoni të ngjeshur me 18 histori, që dëshmonin përballjen e vështirë të popullit shqiptar me regjimin 45 vjeçar të Enver Hoxhës, sezoni i ri premton të tjera histori të rralla qëndrese, persekutimi, padrejtësish, por edhe histori frymëzimi, mbushur me emocione, ngjarje të panjohura dhe përjetime të veçanta.

Sezoni i ri hapet sonte me një rrëfim të rrallë të një prej të mbijetuarve të kampeve të Turanit dhe Tepelenës. Një shtegtim përmes kujtimesh dhe një udhëtim real drejt këtyre dy kampeve duke zbuluar detaje të rralla mbi jetën aty, urinë, vdekjet, historitë plot sekrete të varrezave të zhdukura, por edhe triumfin dhe qëndresën e atyre që ia dolën të mbijetojnë.