Autoriteti i Mediave Audiovizive ka mbyllur transmetimet analoge audiovizive për qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Në këto dy qarqe ku banojnë rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, transmetimet televizive tashme do të jenë vetëm dixhitale.
Duke e konsideruar një hap të rëndësishëm për televizionet, kreu i AMA-s, Gentian Sala tha se deri tani janë shpërdarë falas 88 mijë dekodera për familjet në nevojë.
"Ndihmë ekonomike është dhënë për të paktën 88 mijë qytetarë, që është një numër jo i vogël krahasuar edhe me eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit".
Fushata për informimin e opinionit publik ka nisur prej një viti e gjysëm, u shpreh Sala, që vuri në dukje se qytetarët shqiptarë kanë një traditë të gjatë me transmetimet dixhitale.
"Ka të paktën një vit e gjysëm që Autoriteti i Mediave Audivizive ka bërë fushatë për inforimimin publik, ndërsa historia e dixhitalizimit në Shipëri është mbi 10-vjeçare si asnjë vend tjetër i rajonit".
Në mbyllje, kreu i AMA tregoi se Shqipëria ka një numër të lartë të kanaleve pa pagesë, gjithsej 34 të tillë, me cilësi të lartë transmetimi.
"Për publikun është ditë e rëndësishme, nga sot do të ketë të paktën 34 kanale pa pagesë për publikun shqiptar. Normalisht, këta persona që kanë mundësi ekonomike mund të zgjedhin mes platformave të ndryshme numerike".
Fikja e transmetimeve analoge nga televizionet kombëtare apo ato lokale e rajonale, është shoqëruar edhe me mbylljen e transmetimeve digjitale të palicencuara.