Numri i nxënësvë në shkollat e Matit është përgjysmuar në katër vjet.
Në vitin 2014 në të gjitha shkollat e rrethit mësonin 12 mijë nxënës, ndërsa në këtë shtator numri pritet të shkojë jo më shumë se 5 900 nxënës.
Arjana Rami: "Në vitin 2014 kemi pasur 12 mijë nxënës ndërsa në shatorin e këtij viti janë 5.900 nxënës. Parashikohet që të vijnë ndoshta dhe më pak. Kjo ka bërë që të ulet numri i nxënësve nëpër klasa e të bëhen klasa kolektive."
Përgjysmimi i nxënësve brenda një harku kaq të shkurtër kohor detyron mbylljen e 14 shkollave me klasa kolektive në të gjithë Bashkinë e Matit.
Përgjegjesja e Zyrës Arsimore, Mat, Arjana Rami me shqetësim thotë se kjo mënyrë mësimdhënie po i kthente shumë nxënës në analfabetë funksionalë!
Arjana Rami: "Ne bëmë një testim e shkrim-leximit dhe dolëm qarku më i dobët, morrën rezultate shumë të dobta. Treguesi është se gjithë fëmijët që kanë qenë në klasa kolektive kanë dalë me rezultate të dobta."
Mbyllja e shkollave në rrethin e Matit ka gjetur edhe mirëkuptimin e prindërve, pasi drejtoria Arsimore do të marrë përsipër transportin drejt shkollave të tjera.
Arjana Rami: "Kemi shkollë me 2-3 fëmijë, ose 7-11 fëmijë e gjithë shkolla. Nuk është në kushte optimale për të studiuar fëmija aty."
Ndërkohë në Bashkinë Mat, po bëhen përgatitjet e fundit për vitin e ri shkollor ku institucionet po rikonstruktohen ndërsa vijon edhe shpërndarja e librave falas sipas vendimit të qeverisë.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/pergjysmohen-nxenesit-mbyllen-14-shkolla-ne-mat