Dy të arrestuarit për vrasjen e Alekt Muhos 3 ditë më parë në Memaliaj kanë mbajtur qëndrime kontradiktore përballë hetuesve. Burime pranë uniformave blu thonë se, Hetem dhe Dino Muho kanë kundërshtuar disa herë thëniet e njëri-tjetrit gjatë marrjes në pyetje. Ata jetojnë në fshatin Çukë të Sarandës dhe kanë pranuar se kanë udhëtuar drejt Memaliajt ditën e ngjarjes për vizitë te të afërmit, por kanë mohuar që të jenë autorë të vrasjes.
Në krahun tjetër policia konfirmon se ka siguruar prova që vërtetojnë se babë e bir janë ekzekutorët e 43-vjeçarit. Hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë ende armën me të cilën u ekzekutua Muho, që do të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes. Hetem Muho disponon edhe një armë gjahu me leje për të cilën në momentin e arrestiumit tha se ia kanë vjedhur.
Vrasja ndodhi mesditën e 6 Shtatorit në fshatin Rabije të Memalijat atje ku autorët qëlluan me breshëri automatiku dhe një armë gjahu Muhon, duke e lënë të vdekur në vend. Policia njoftoi zyrtarisht se, Hetem dhe Dino Muho kanë patur konflikte pronësie me Alket Muhon dhe ky dyshohet të jetë edhe motivi i krimit.
Babai i viktimës, Gjolek Muho një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit, u shpreh se djali i tij nuk kishte asnjë konflikt, ndërsa emri i Alket Muhos u përfol si person që informonte policinë lokale për parcelat e mbjella me kanabis në zonën ku ai jetonte. Policia një ditë pas vrasjes vuri në pranga Hetem dhe Dino Muho me akuzën e ?Vrasjes me dashje? të kryer në bashkëpunim, dhe ?Armëmbajtje pa leje?.