TIRANË-Partia Demokratike vazhdon me akuzat drejtuar ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat nga selia e PD-së, ka thënë se 2 ditë më parë në Lezhë tek zona e Ranës së Hedhur ka patur një shkëmbim zjarri. Sipas PD-së për këtë rast janë arrestuar 3 persona, për të cilët demokratët disponojnë edhe fotot e më pas ata janë liruar pas një telefonate nga ministria e Brendshme.
Pak orë më vonë, ka ardhur edhe përgjigjia e Ministrisë së Brendshme, që në një deklaratë bëhet me dije, se janë kryer të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se pistoleta që të rinjtë kanë patur me vete nuk është armë zjarri.
Bandat kriminale qeverisin në çdo cep të Republikës, duke sfiduar plotësisht autoritetin e shtetit. Pas ngjarjeve të rënda kriminale në Shkodër, Vlorë dhe Elbasan, krimi ka treguar se bën ligjin edhe në Lezhë. Partia Demokatike po denoncon një rast skandaloz, që tregon se policia është e tradhëtuar nga drejtuesit politikë të saj në Ministrinë e brendshme. Dy ditë më parë, të enjtën qytetarët kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Shtetit për të denoncuar një shkëmbim zjarri tek zona e njohur si Rana e Hedhun. Patrulla policore ka bërë ndalimin e personave me inicialet E.S. nga Lezha, F.F. nga Shkodra dhe I.S. nga Kopliku. Pas kontrollit atyre iu gjetën armë zjarri, një foto prej të cilave Partia Demokratike e disponon. Pak orë pas deklaratës për mediat të deputetit demokrat, Ervin Salianji, për veprimet e policisë së Lezhës, ka ardhur edhe përgjigjia nga ministria e Brendshme.
Në një njoftim zyrtar për mediat, ministria e Brendshme sqaron se më datë 6 shtator, në orën 23:37 minuta ka ardhur një telefonatë se nga një makinë është qëlluar me armë në zonën e Ranës së Hedhun.
Menjëherë pas lajmërimit, është ndaluar mjeti, në të cilin ndodheshin 3 persona, bënë me dije Ministria. Më pas është gjetur një armë pistoletë por që pas ekspertimit ka rezultuar se nuk ka qenë armë zjarri por armë simuluese.
Dosja i ka kaluar prokurorisë, thuhet në njoftim, por rasti në fjalë nuk përbën kundravajtje penale.