Report TV - Shkroi për shqiptarët, një rrugë në Tiranë merr emrin gazetarit Alessandro Leogrande

2018-09-08 2

Një rrugë e re në kryeqytet do të mbajë emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Tabela me emrin e Alessandro Leogrande-s u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, miq dhe kolegë të gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar pranë Parkut të Liqenit.

?Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ?Alessandro Leogrande? një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai?, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se kjo rrugë dhe zona e parkut të Liqenit është edhe një vend për reflektim, për meditim, për lexim, për të menduar idetë progresive, se si qytetet e shtetet mund të bëhen bashkë. ?Ky është parku më popullor në Tiranë dhe zona më e frekuentuar nga qytetarët, ndaj jam i lumtur që ky vend, i cili shërben si hapësirë reflektimi, meditimi e leximi do të ketë emrin e Leogrande-s. Ky është një vend ku meditojmë, ecim, kalojmë kohë të lirë dhe besoj është një moment dhe një hapësirë ideale reflektimi për mikun tonë?, tha ai.