Report TV - Ekskluzive/ Asambleja e PS, ja kriteret për kandidatët e këshillave të bashkive

2018-09-08 0

Nga Esiona Konomi dhe Adriatik Doçi

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së djeshme, përpos të tjerave, ka miratuar edhe një dokument, në të cilin parashikohen kriteret që duhet të plotësojnë kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiake në zgjedhjet lokale të 2019. Dokumenti i siguruar nga Shqiptarja.com parashikon që kandidatët e përzgjedhur nga Partia Socialiste duhet të plotësojnë pikësëpari kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dhe statutin e PS. Gjithashtu, kandidatë, sipas dokumentit të miratuar, duhet të kenë kontribut e angazhim politik, njohuri për programin dhe politikat e PS në nivel kombëtar dhe vendor, arsim të lartë si dhe të zotërojnë aftësi të spikatur profesionale dhe menaxhuese. Për t?u bërë pjesë e parlamenteve vendore, kandidatë duhet gjithashtu të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetje të gjerë në komunitet, të jenë aktivë dhe të angazhuar për të njohur, ndjekur e zgjidhur problemet e komunitetit. Dokumenti parashikon që kandidatët duhet të kenë integritet të lartë dhe kurajo civile për të luftuar korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit. Gjithashtu kandidatët duhet të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizuese të punës në ekip, të zotërojnë eksperiencë për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe materiale. Në procesin e zgjedhjes dhe hartimit të listave me kandidaturat për këshilltarë të bashkive duhet gjithashtu të respektohen edhe disa kritere të tjera. Kandidaturat për anëtarë të këshillave bashkiakë të jenë nga anëtarësia e partisë, përkrahës dhe kontibutorë të saj, individë të spikatur nga shoqëria civile, intelektualë, njerëz me reputacion në komunitetet vendore dhe në territorin e bashkisë, biznesmenë etj. Sipas dokumentit do të kenë përparësi kandidatët sipas meritës dhe aftësive profesionale, sipas barazisë mes burrave dhe grave në përfaqësim, kandidatët e rinj etj. Nuk do të kenë përparësi ata që kanë disa mandate si këshilltarë, ata që ushtrojnë disa detyra të tjera etj.