Report Tv-Dëshmia Ekskluzive/ Flet kunati i 'informatorit' Alket Muho

2018-09-07 0

Tiranë- Një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit, Alket Muho në fshatin Rabije të Memaliajt, Shqiptarja.com dhe Report Tv sigurojnë një dëshmi audio ekskluzive. Kunati i viktimës, i cili do të mbetet anonim për shkak se në Shqipëri kërkohet në lidhje me një aksident tregon versionin që di për ngjarjen.

Ai i jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve të ngritura në media nëse ishte apo jo Muho një informator i policisë. Sipas tij, Muho prej një viti telefononte policinë për të treguar se në zonë mbillej kanabis, por vetëm kur iu drejtua Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në zonë erdhën policë për kontroll.

I riu që jeton në Greqi thotë se në fshatin Rabije por edhe fshatra të tjerë mbillet masivisht kanabis që prej vitit 2016-të. Sipas tij, prej një viti Muho dhe familja e tij jetonin me zhurmën e kallashnikovëve, të përdorur gjatë natës për të ruajtur parcelat e kanabisit.

?Puna e drogës ka nisur që në 2016...mbillej droga në çdo hapësirë. Unë kam jetuar edhe vetë atje. Sa herë errësohej hidheshin çdo natë mbi 1200 fishekë që të trembeshin banorët...të mos iu afroheshin parcelave. Kunati im prej një viti ka shkuar në polici dhe mund të ketë shkuar në polici dhe të ketë denoncuar fenomenin. Ndjehemi të rrezikuar ka thënë. Ai kishte një fëmijë 3 vjeç?

Kunati i Alket Muhos


Sipas kunatit, policët kanë ardhur afër fshatit të tyre një ditë para se Muho të vritej. Ai shton se pasi kanë asgjësuar disa parcela me drogë në fshatin Gllavë, policët kanë darkuar me njerëzit që kultivonin kanabis.

?Prej një viti telefononte dhe ankohej në Tepelenë dhe në Gjirokastër dhe askush nuk e vuri ujin në zjarr...Shumë herë ka bërë telefonata dhe denoncime, thoshte hajdeni se po na tremben fëmijët. Askush nuk erdhi. Nga kjo u detyrua të kontaktonte me strukturat e SHCBA-së, gjeti një numër dhe i mori në telefon. Ata kanë dhënë urdhër që të vinte policia e Gjirokastrës në fshat. Ata pastaj kanë prerë edhe dy parcela në Gllavë. Pas kësaj kanë ngrënë darkë me mish të pjekur, janë shtruar me ata...?

Kunati i Alket Muhos



Duke e përjashtuar pistën që ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një problemi pronësie, kunati tregon edhe konfliktin që ka pasur me fqinjët e tij.

?Ka pasur konflikt me një familje që jeton afër tyre. Sa herë shkoja në fshatin e tyre e dëgjoja që bënte debat për rrugën e kalimit dhe për punën e një çezme. Një herë janë zënë keq, ka ndërhyrë edhe kryeplaku, por nuk mendoj se vrasja ka ndodhur për këtë shkak?

Kunati i Alket Muhos

Në bisedën audio ai pranon që edhe kunati i tij ka kultivuar kanabis kohë më parë dhe se në zonë një shef policie që e njihnin të gjithë me pseudonimin Kiço merrte pjesën e tij.