Aksidentet rrugore janë kthyer në një fenomen shqetësues kur pasojat me jetë të humbura, persona të gjymtuar dhe mjete të dëmtuara arrijnë shifra të një bilanci lufte. Report Tv ka pasqyruar aksidente nga autostradat, rrugët interurbane ku shpejtësia, përdorimi i telefonit dhe alkooli janë shpesh herë burimi i tyre.
Por aksidentet me pasoja nuk mungojnë as në rrugicat e lagjeve apo kryqëzime, në qendra urbane dhe të popullura. Janë këto dy videot ekskluzive të siguruara nga Report Tv ku ditën dhe natën në një kryqëzim në mes të bllokut aksidentet janë kthyer në shqetësim për banorët aty.
Siç shihni në pamje, në kryqëzimin e rrugës Vaso Pasha me rrugën dytësore Nikolla Tupe aksidentet janë jo pak të rrezikshme. Ky aksident është shënuar ditët e fundit të gushtit teksa ora shënonte 21:22 minuta të mbrëmjes, ku vetëm fati ka shpëtuar tre kalimtarët që ishin mbi vijat e bardha dhe njëri prej tyre largohet me vrap.
Një automjet fuoristradë vjen nga aksi Vaso Pasha dhe pse aty është një kryqëzim, ai kalon me shpejtësi duke përplasur një tjetër mjet që vjen nga rruga Nikolla Tupe dhe i pret rrugën. Nga ekspertizat e Policisë Rrugore, ky aks është burim aksidentesh pasi ka fushëpamje të kufizuar pasi parkohet nga të dyja anët e rrugës dhe ska asnjë pasqyrë sinjalizuese.
Në të njëjtin kryqëzim pak orë pas këtij aksidenti ku fati shpëtoi tre kalimtarët, dhe me lëndime të lehta dy shoferët e mjeteve të aksidentuara, u shënua një tjetër aksident.