51 ton miell misri për kafshë jashtë standardeve, ishte goditja e radhës e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Sasia e bllokuar në doganën e Morinës, u përket dy subjekteve, që e kishin sjelle atë nga Serbia. AKU thotë se do ta kthejë miellin në vendin e origjinës. Por nuk sqaron nëse ka penalitete për subjektet.
Janë disa aksione radhazi të inspektorëve për të garantuar sigurinë ushqimore. Por mbrojtësit e konsumatorit thonë se masat duhen ashpërsuar, pasi këto aksione nuk po i frenojnë abuzimet te tregtarët e mëdhenj deri tek hallka e fundit e zinxhirit të tregtimit të ushqimit, si dyqanet, baret e restorantet.
"Penalitetet duhet të ashpërsohen pasi nis bllokimi me 100 mijë Lekë të vjetra deri në 10 milionë, thjesht i vënë shirit bllokues, por pasnesër e shikon sërish këtë subjekt. Ai subjekt nuk duhet hapur. Prandaj duhen penalitete më të rënda. Nëse ka ankesa për një subjekt, ky subjekt duhet të bllokohet dhe mbyllur përgjithmonë jo të ndryshojë emrin dhe të dalë me një licencë tjetër".
Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi tre dite më parë një rast në Roskovec të Fierit, ku sasive të mëdha me makarona të skaduara u ndryshohej data e skadencës. Roskoveci, sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, nuk është rast i izoluar.
"14 i Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve e përcakton qartë që data duhet të jetë e skanuar ose e stampuar, pasi duke vendosur etiketë mbi etiketë dhe bojë mbi bojë. Nëse data e skadimit është një muaj përpara, konsumatori nuk duhet ta marrë, kjo bojë mund të hiqet farë mirë nga abuzuesit, edhe me gisht me ujë mund ta heqë".
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit numëron 350 inspektorë të shpërndarë në mbarë vendin. Kontrollet e tyre çuan në mbylljen e disa restoranteve gjatë verës në zonat bregdetare apo në sekuestrimin e disa tonelatave me miell buke që vjen kryesisht nga Serbia. Por sipas ekspertëve, nëse masat ndaj abuzuesve do të mbeten vetëm në ndëshkime administrative, jeta e konsumatorëve është e rrezikuar.
"Ushqimet e skaduara, që nuk treten, pas një dy apo tre vjetesh shndërrohen në tumor".