Policia e Shtetit bëri publik sot emrat e katër të arrestuarve nga aksioni i një dite më parë në qytetin verior pas kontrolleve në lagjet Kiras dhe Dobraç, aksion ky i ndërmarrë pas vrasjeve të njëpasnjëshme. Policia thotë se ka mbledhur të dhëna në rrugë informative për ta, por edhe i ka përgjuar për të arritur në konkluzionin që ishin pjesë e klaneve kriminale që vepronin në qytetin e Shkodrës.
Mes të arrestuarve rezulton të jetë një person i fisit Bajri, Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër, i njohur për disa vepra kriminale. Po ashtu në sy të bie emri i Astmer Bilalit, 29-vjeç ish-kampion boksi, emri i të cilit u përmend një natë më parë nga gazetari Artan Hoxha. Hoxha tha se dyshohet që Bilali të ketë qënë shënjestra e sulmit ku mbeti i vrarë biznesmeni Arjan Ferracaku.
Ilir Bajri dhe Astmer Bilali, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme kanë qënë prej disa muajsh në përgjim nga uniformat blu. Ata janë mbajtur në vëzhgim dhe janë vendosur përgjues ambjental ku rezulton se janë pjesë të një grupi te rrezikshëm kriminal në qytetin e Shkodrës.
Pjesë e të arrestuarve është edhe Erogen Vaso Brajoviç, 36 vjeç, i lindur dhe banues në Shkodër. Vaso është një emër i njohur në Shkodër për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale. Fillimisht ka qenë këshilltar bashkiak me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, që drejtohet nga Vangjel Dule. Edhe në rrjetet sociale qarkullojnë foto të Erogen Vasos në shoqërinë e Dules.