Report TV - Hetimi i parave/ Skandali me pronat në Spille, postieri i përfshirë në skemë

2018-09-05 0

Prokuroria e Kavajës nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për ti shkuar deri në fund çështjes së abuzimeve me tjetërsimin e pronave shtetërore në bregdetin e Spillesë. Një muaj më parë, kjo prokurori depozitoi një kërkesë të dytë në gjykatën e rrethit, duke kërkuar gjykimin e biznesmenit të njohur Idlir Karkini për akuzën e ?Pastrimit të produkteve të veprës penale?.

Kujtojmë që Karkini ka një tjetër proces gjyqësor për akuzën e ?Falsifikimit të dokumentave? të pronave. Mirëpo në çështjen e dytë kundër tij, prokuroria ka zbuluar se në skemën e tjetërsimit të pronave në Spille është përfshirë dhe një postier i Kavajës. Gëzim Baçerri akuzohet për veprën penale të ?Shpërdorimit të detyrës?.

Baçerri dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-drejtuesin e hipotekës Kavajë, Said Cikalleshi, ku në një rast ka fshehur dokumentat e korrespodencës mes hipotekës së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut Tiranë. Sipas prokurorisë këtë shërbim, punonjësi i postës Kavajë e ka kryer kundrejt një pagese ende të papërcaktuar.Dy të pandehurit Karkini dhe Baçeri, pritet që në muajin shtator të përballen me prokurorinë në gjykatë. Biznesmeni Karkini vijon të jetë në kërkim policor dhe mendohet se fshihet në Gjermani ose Itali.