Haradinaj paraqet grupin negociator te dialogut me Serbine

2018-09-04 0

Opozita e bojkotoi pjesën e parë të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur nga Kryeministri Ramush Haradinaj për shpalljen e ekipit negociator në dialogun me Serbinë. Grupi që do të ulet në tryezë me palën serbe në Bruksel, përbëhet nga figurat kryesore të koalicionit qeverisës në Kosovë.

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë grup negociator. Fatmir Limaj kryesues, Enver Hoxhaj zv/kryesues, Behgjet Pacolli anëtar, Dardan Gashi anëtar. Po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës".

Haradinaj akuzon opozitën se po punon kundër interesave të vendit.

Por opozita ka thirrur këtë të martë një tjetër seancë të jashtëzakonshme për votimin e rezolutës që ia ndalon Presidentit Thaçi diskutimin për kufirin me Serbinë. Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti iu përgjigj edhe akuzave të Haradinajt.

"Nuk ka pasur asnjë urgjencë që sot të thirret kjo seancë. Ka pas mundësi që menjëherë pas mbarimit të seancës së opozitës ose të nesërmen të thirret kjo seancë, që deputetët përfshi dhe opozitën të japin fjalën e tyre".

Grupi negociator i prezantuar nga qeveria mori mbështetjen e grupeve paralmentare të PDK-së, AAK-së dhe Nismës, si edhe disa deputetëve të tjerë, të cilët nga ana tjetër vunë kushtin e panegociueshëm që territori aktual i Kosovës të mos vihet në diskutim. Seanca e jashtëzakonshme rifillon në orën 16:30.

Free Traffic Exchange