Pak orë pas arrestimit të dy shtetasve Luan Çela 44-vjeç dhe Romeo Ramadani 32-vjeç, të cilët u kapën me 2.5 kg heroinë me vlerë 40 mijë euro, Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë detaje të reja në lidhje me aktivitetin e tyre.
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se Luan Çela dhe Romeo Ramadani ishin dora e dytë për shitjen e drogës.
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me një grup kriminal jashtë Shqipërisë ku kanë blerë sasinë e heroinës. Më pas heroinën ata ia jepnin grupeve të tjera të shpërndarjes, të cilët e shisnin në një nga lokalet e natës në ish-Bllok, por edhe në zona të tjera. Deri më tani dy të arrestuarit nuk kanë dhënë detaje për personat nga e blinin dhe më pas e shisnin heroinën.
Aksioni i policisë
Forcat e Posaçme të Policisë së Tiranës kanë marrë informacion për një makinë ku dy persona shisnin drogë. Nga kontrolli i makinës janë gjetur 5 pako të mbështjella me natriban, ku rezultoi se ishin 2.5 kg heroinë. Heroina ishte futur ne qese të ndryshme dhe ndodhej në pjesën e pasme të makinës, siç dallohet edhe nga videoja e policisë. Ndërkohë nga kontrolli i banesave të Luan Celës dhe Romeo Ramadanit, u gjet edhe një arsenal armësh, ku përfshihet 1 Shot Gun, 1 armë gjahu si dhe 61 fishekë.