Shpërndarja falas e librave shkollor për të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të 4 do t'i kushtojë buxhetit 6 milionë Dollarë.
Por Kryeministri thotë se tashmë qeveria mund ta përballojë këtë kosto, madje vitin e ardhshëm do të përfshihen në këtë program dhe klasat e 5, ndërsa brenda mandatit ai premton që të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare të mund të pajisen me librat shkollor falas.
"Ajo që duam është që deri në fund të mandatit ti bëjmë falas deri në klasë të nëntë".
Rama pranon që disa nga librat shkollor kanë njohur rritje, por sipas Kryeministri e ka një arsye.
"Disa thonë që librat janë shtrenjtuar. Po, disa libra janë më të shtrenjtë seç ishin sepse janë produkte cilësore".
Në takimin e zhvilluar me mësues të shkollave 9-vjeçare në prag të vitit të ri shkollor, kreu i qeverisë flet dhe për cilësinë e mësidhënies që sipas tij ka ndryshuar për shkak se i është vendosur fre emërimeve politike në arsim.
" Politika ka dalë nga shkolla dhe merita ka hyrë në shkollë. Sidoqoftë për t'u kthyer edhe njëherë po tek arsyeja kryesore pse jemi këtu është rëndësishme që i gjithë komuniteti i arsimit që nga Ministria e Arsimit tek drejtoritë, që dhe ato tani do të hyjnë në një fazë reformimi, tek drejtoritë e shkollave dhe mësuesit të bëjmë detyrën për t'i dhënë në kohë të gjithë librat falas për fëmijët".
Pa dhënë afate apo përqindje, Kryeministri premton rishikim të pagave të mësuesve.