Ne 3 Shtator nis sesioni i ri parlamentar

2018-09-02 1

Nisja e sesionit të ri parlamentar pasditen e së hënës pritet të sjellë në sallën e Kuvendit debatin për disa çështje. Beteja e parë mes palëve do të jetë dekreti i Presidentit Ilir Meta, pas rikthimit në Kuvend për rishqyrtim të ligjit që i hap rrugë prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Futja në kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit nga ana e maxhorancës është vija e kuqe e pakalueshme për opozitën.

Shumë larg konsensusit është edhe amendimi i ligjit për ?Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve?, që i hap rrugë regjistrimeve në shkollën e magjistraturës, për të cilën maxhorancës i nevojiten 84 vota.

Ofertës së socialistëve, demokratët iu kundërpërgjigjën në mbyllje të sesionit të kaluar me një paketë disa pikëshe, duke mohuar çdo bashkëpunim, që sipas tyre shkel Kushtetutën.

Por kryefjala e këtij sesioni parlamentar do të jetë reforma zgjedhore. Çështje për të cilën pavarësisht dialogut që shoqëroi tryezat e verës mes palëve, arritja e një pakti duket e largët.

E hëna do të jetë një ditë e ngjeshur në dy kampet politike, ku gjatë paradites në selitë e partive; asaj socialiste dhe demokrate do të mblidhen grupet parlamentare për të përcaktuar axhendën politike dhe qëndrimet e palëve në seancën plenare të orës 17:00.

Tv Klan