Parku i Liqenit Artificial është kthyer në hapësirën më të pëlqyer për qytetarët e Tiranës dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme social-kulturore. Për dy ditë me radhë, balonat shumëngjyrëshe të përmasave dhe formave të ndryshme, mbushën qiellin në Festivalin Ndërkombëtar të Balonave, që rikthen pas shumë vitesh një traditë të bukur të kryeqytetit.
Kemi rikthyer festën e balonave në Tiranë, që do të zhvillohet çdo vit te Liqeni. Do të jetë një traditë, siç ishte për ne kur ishim fëmijë, ashtu edhe për fëmijët sot. Është një fillim fantastik për një traditë, që besoj se do të shënojë kujtesën e atyre që do të kalojnë fëmijërinë në Tiranë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj
Kryebashkiaku nënvizoi se Bashkia e Tiranës ka çliruar hapësirat e uzurpuara nga ndërtimet pa leje, duke ua kthyer parkun qytetarëve. Ai shtoi se pavarësisht vështirësive, tashmë edhe kjo zonë e qytetit ka infrastrukturën e nevojshme, si pistën e re të vrapit, korsitë e biçikletave etj.