Pas shumë vitesh betejë me ekzekutivin, ndërtuesit kanë arritur të marrin përjashtimin nga detyrimi për të paguar tatim fitimin prej 15%, në rastin që bëhet transaksioni i pasurive të paluajtshme.
Një udhëzim i përbashkët i firmosur nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ajo e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka bërë të mundur që të hyjnë në fuqi ndryshimet e paketës fiskale që u miratuan në fund të sesionit parlamentar, duke përjashtuar ndërtuesit nga ngarkesa fiskale që paguanin në momentin që blinin tokën ku do të ndërtohej, për llogari të pronarit të truallit.
Udhëzimi përcakton qartë se tashmë të gjitha zyrat e pasurive të paluajtshme duhet që për shoqëritë tregtare të regjistruara si persona juridikë me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk do të jenë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, por vetëm të taksës vendore.
Në aktin e firmosur janë qartësuar edhe procedurat e mbajtjes së tatim fitimit, edhe në rastin e kalimit të pronësisë me trashëgimi, apo të transaksioneve të ndërtesave që nuk kanë vlerë të përcaktuar në kontratën e blerjes.