Krimet që tonditën vendin në 2018/ 26 vrasje me dashje në 8 muaj, më e rënda masakra e Selenicës

2018-08-25 4

Tiranë- 38 persona janë vrarë në Shqipëri 8 muajt e fundit, në 26 ngjarje kriminale. Një bilanc lufte, që ka nisur me vrasje mafioze, e krime pasioni dhe ka përfunduar me masakrën e Selenicës në Vlorë. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT dhe Policisë Shqiptare, Report TV zbulon se që nga 1 janari i 2018-së deri në 25 gusht, kanë ndodhur 26 vrasje me dashje. Shumica e autorëve të këtyre vrasjeve janë sot në pranga nga Policia.

Që në ditët e para të janarit vendi do të tronditej nga vrasja e Emiljano Boçit, Devi Kasamit dhe krimit të pasioni nga Aldison Belulaj. Emiljano Boçi u ekzekutua vetëm 2 muaj pasi doli nga burgu, ku ishte dënuar për tentativë vrasje. Pak ditë më vonë Aldison Belulaj ka vrarë ish-të dashurën e tij Ariela Muratin dhe më pas veten.

Një ndër vrasjet tipike mafioze ishte atentati ndaj Devi Kasmit. Ai u qëllua poshtë shtëpisë së tij dhe autori i dyshuar dhe arrestuar është greku Efthymiou Efthymious.

Vrasja e Devi Kasmit u organizua nga një grup kriminal, dhe për vdekjen e tij dyshohet se u paguan shuma të mëdha parash.

Tirana u trondit përsëri në muajin shkurt ku u vra Memli Begalla. Për këtë ngjarje janë arrestuar Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Begalla u qëllua me 1 plumb në kokë dhe shkak dyshohen konfliktet e vjetra.

Vrasjet në familje dhe atentatet për shkak të së shkuarës kanë vijuar edhe në qytete të tjerë, si Durrësi, Pogradec, Dibër etj.

Në muajin prill në Tiranë u vra Mario Majollari. Ai ishte kthyer nga Suedia pasi iu refuzua azili. Autori i dyshuar është Kastriot Gjuzi, i cili dyshohet se e vrau Mario Majollarin për shkak të gjakmarrjes. Në vitet 2000 babai i Marjo Majollarit, kishte vrarë vëllain e Kastriot Gjuzit.
Në 8 qershor një tjetër krim pasioni tronditi Tiranën. Xhaferr Mata vrau ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çunin dhe më pas veten. 31-vjeçari dyshohet se e vrau pasi 19-vjeçarja refuzoi të vazhdonte lidhjen me të.

Kejsi Hysa u vra në Nikël dhe u gropos në një fushë me kanabis. Në Shkodër në 15 korrik u vra Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Një vrasje ku Policia nuk ka ende asnjë autor të dyshuar.

Vrasja e 8 personave nga Ritvan Zykaj në Selencisë të Vlorës, është një ndër ngjarjet më të rënda të këtij viti. As në vitin e mbrapshtë 1997 një person i vetëm nuk kishte vrarë 8 persona të tjerë në Shqipëri. Monstra i Selenicës shoi 2 familje të fshatit Resulaj dhe shkak ishte se e akuzonin për vjedhjen e pulave. 24-vjeçari është sot pas hekurave.

38 të vdekur në këto 8 muaj ngrenë alarmin për autoritetet, për një tjetër amnisti për armët, në mënyrë që këto ngjarje të mos ndodhin më.