Report TV - Liqeni i Shkodrës kthehet në moçalishte, banorët: Turp! Situatë e papranueshme

2018-08-25 3

Prurjet e pakta kanë bërë që liqeni i Shkodrës të kthehet në moçalishte. Mbetje urbane, mbetje të nxjerra në sipërfaqe nga uji, por edhe derdhja e ujerave të zeza e kanë kthyer atë në një moçal. Një situatë e papranueshme për banorët e Shkodrës të cilët e frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit të verës. Kjo ka rritur rrezikun e përhapjes së infeksioneve për frekuentuesit e shumtë të kësaj zone. Ato shprehen se kjo situatë është e papranueshme, ndërkohë që theksojnë se para viteve 90-të në këtë zonë banorët e Shkodrës e shfrytëzonin për plazh dhe ky është një turp që i serviret.

Ndërtimi i bypasit të Shkodrës punimet e së cilit kanë ngelur në vend numëro, derdhja e ujërave të zeza në lumin Buna si dhe ulja e nivelit të ujit për shkak të prurjeve të pakta kanë nxjerr në pah një problematikë të tillë e cila është një kambanë alarmi për institucionet. Për drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër Agim Dardha kjo është një problematikë që vijon prej 20 vitesh. Ndërkohe që pranon se edhe ndërtimi i bypasit ka dhënë efektet e tij negative. Megjithatë duket se përballë kësaj situate shteti është dorëzuar, duke lënë në mëshirë të fatit një zonë të tillë atraktive dhe me resurse të mëdha natyrore për Shkodrën.